Libi, 191 mijë të larguar nga trazirat

05/03/2011 21:30

Mbi 191 mijë persona janë arratisur deri më sot nga Libia dhe 10 mijë të tjerë po drejtohen për tek kufiri egjiptian.

Lajmin e ka bërë të ditur OKB përmes një raporti, në të cilin saktësohet se deri ditën e enjte, 104.275 persona janë strehuar në Tunizi, 85 mijë në Egjipt dhe 4 mijë në Algjeri.

Por marrja nën kontroll të kufirit Tunizi-Libi nga ana e besnikëve të Gaddafi ka bërë që fluksi i mërgimtarëve të ngadalësohet.

Raporti i Kombeve të Bashkuara bën gjithashtu të ditur se vetëm nga Tunizia duhet ende të evakuohen plot 12.500 persona.

Në Libi situata më problematike paraqitet në Zavija, qytet 40 kilometra larg Tripolit, ku sipas banorëve tanket e armatosura po qëllojnë cdo shtëpi.

Objekt i sulmit me artiljeri të rëndë, sipas të njëjtave burime, ka qenë edhe një xhami ku ishin fshehur qindra persona.

Deri tani mediat e huaja, që citojnë edhe banorët, nuk kanë qenë në gjendje të japin një bilanc të saktë të viktimave, por ai vërtitet rreth shifrave 30-50 të vdekur.

Top Channel