Në fillim të javës, Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë bëri “mea culpa”-n e parë në emër të BE-së kundrejt Afrikës Veriore duke pranuar se për hir të “stabilitetit”, Europa ka mbështetur regjime autoritare në kurriz të demokracisë dhe vlerave që promovon.
Të premten, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin malazez, i pyetur se cilat janë mësimet e nxjerra dhe a mund të jetë qartësisht më i zëshëm Komisioni me ato vende të Ballkanit, si Shqipëria apo Maqedonia, ku korrupsioni është gjithëpërfshirës, ku sulmohen e kërcënohen institucionet e pavarura, ku shtypet liria e fjalës, e kështu me radhë, me qëllim që në të ardhmen BE të mos kërkojë falje dhe për këtë rajon, Stefan Fule u përgjigj:
“Mesazhi im është se përsa i takon asaj që po ndodh me fqinjët tanë të jugut , jam shumë besimplotë se asnjë vend nuk është i imunizuar nga ky proces me përmasa historike që po ndodh, por gjithashtu, dhe përsa i përket pjesës tjetër të Europës, kam besimin se askush nuk është i imunizuar dhe se askush nuk duhet të jetë i imunizuar për të reflektuar mbi këto ndryshime”.
Më tej, Fule sqaroi se qendrimi i BE-së ndaj qeverive të Ballkanit është më i rreptë duke monitoruar tashmë jo vetëm numrin e ligjeve që miratohen, por dhe si zbatohen e sa i shërbejnë ato qytetarëve.
“Ajo cfarë nevojitet të nënvizojmë e që duhet forcuar vërtet, është që të shohim gjurmë provash, në vend të plotësimit formal të detyrave. Në Mal të Zi përshembull, nëse shohim 7 kriteret kyce, ato reflektojnë deri diku këtë qasje të re të BE-së, e cila nuk kërkon vetëm miratimin e ligjeve dhe vendosjen e institucioneve, por edhe aftësinë për të monitoruar zbatimin sesa këto ndryshime, këto ligje e institucione, ju shërbejnë qytetarëve”, tha Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin në BE.
Nëse Malit të Zi i janë vendosur 7 kritere, vlen të theksohet se Shqipëria ka 12 të tilla për të përmbushur. Ndërkohë, i pyetur mbi letrën konfidenciale të ish-ambasadorit amerikan në Podgoricë, të zbuluar nga Wikileaks, ku vendi cilësohet si më i korruptuari e më i kriminalizuari në rajon, Kryeministri Igor Luksic vlerësoi më të rëndësishme se ky dokument ndihmën amerikane për vendin.
“Unë vlerësoj shumë mbështetjen që ne marrim nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Mendoj se kjo është shumë më e rëndësishme se cdo letër specifike diplomatike e cila mund të gjendet kudo, përfshirë këtu dhe në Wikileaks”, tha Igor Luksic, kryeministër i Malit të Zi.
“Dua të shtoj se qendrimi i Bashkimit Europian për këtë është se nuk ka nevojë të lexoni Wikileaks, pasi gjithcka është në progres-raportin e opinionit tonë, dhe jam i sigurtë se shumë gjëra thelbësore mbi këtë, do t’i gjeni edhe në raportin tonë të ardhshëm”, tha nga ana e tij komisioneri Fule.
Raportet e progresit të Komisionit Europian këtë vit pritet të publikohen më 15 shtator.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel