Prokuroria Italiane ka nisur hetimet mbi një rast përdhunimi të dyshuar në një komisariat pranë Romës, një ngjarje që rrezikon të përbaltë forcat italiane të rendit, raportoi sot “Il Corriere”.
Sipas denoncimit mediatik të një gruaje 32-vjeçare, ajo u përdhunua një javë më parë nga dy policë brenda një qelie në komisariatin e Ostias, ndërsa dy të tjerë bënin roje për të parë nëse dikush ishte duke ardhur.
Përdhunimi është vërtetuar nga shërbimet spitalore, që trajtuan viktimën e sulmit seksual, e cila mbërriti në spital në gjendje shoku psikologjik. Disa orë më parë ajo ishte ndaluar nga policia për verifikime.
”Mësova me një tronditje të thellë këtë ngjarje, për të cilin duhet të bëhen menjëherë të gjitha qartësimet”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno.
”Nëse vërtetohet, një ngjarje e tillë do t’i përkiste faqeve më të errëta të historisë së kombit italian, por është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të kenë besim tek policët, shumica e të cilëve rrezikojnë jetën përditë në luftë me mafian dhe krimin”.
Top Channel