
Një gjykatë në Brazil miratoi planin e ndërtimit të një prej digave më të mëdha në botë, projekt që ka ngjallur shumë polemika për dëmet që mund të shkaktojë në pyjet e Amazonës dhe popullsinë indigjene.
Një javë më parë, një gjykatë ndaloi ndërtimin e hidrocentralit të Belo Montes, por vendimi i apelit miratoi zhvillimin e projektit mbrëmjen e shkuar, në atë që pritet të jetë një çështje që do të ngjallë shumë debate të reja.
Sipas gjykatës së apelit, nuk është e domosdoshme që të gjithë kushtet mjedisore të plotësohen, përpara fillimit të ndërtimit.
Hidrocentrali gjigant i Belo Montes është një plan i presidentes Dilma Rousseff për të përmirësuar ndjeshëm kapacitetet energjitike të vendit.
Devijimi i lumit për krijimin e një baseni artificial do të sjellë tharjen e një pjese të shtratit, duke kërcënuar bimësinë në një zonë të pyllit të Amazonës dhe jetën e disa dhjetëra mijëra njerëzve, që banojnë në këto pyje në kushte primitive.
Top Channel