Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fule, mirëpritën përmes një deklaratë të përbashkët për shtyp, formimin e qeverisë së re në Kosovë dhe zgjedhjen e presidentit, pavarësisht se ishin vënë në dijeni mbi mënyrën sesi u votua një ditë më parë në Kuvend ekipi i ri udhëheqës.

“Presim me padurim që të punojmë me ta për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë dhe t’i ndihmojmë ata për të përmbushur perspektivën europiane të vendit. Ne llogarisim gjithashtu se qeveria e re do të merret me reformat prioritare, vecanërisht me forcimin e administratës publike, sundimin e ligjit dhe se do të garantojë integrimin e të gjitha komuniteteve. Ne mirëpresim vendosmerinë e qeverisë së re për nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd, e në këtë kuadër shprehim gadishmërinë për të punuar ngushtë me kryeministrin dhe ekipin e tij të ri”, deklaroi Natasha Butler, zëdhënëse e KE për Zgjerimin.

Zëdhënëset respektive të Ashton e Fule u pyetën disa herë gjatë konferencës për shtyp mbi legjitimitetin e përfaqësuesve të rinj të shtetit të Kosovës, duke iu referuar të dhënave për mosrespektim të Kushtetutës së vendit, por dhe presionit të ushtruar ndaj deputetëve të pranishëm në Kuvendin e Kosoves derisa u sigurua kuorumi i nevojshëm i votave.

“Ne jemi në dijeni të vështirësive që u hasën natën e kaluar gjatë votimit. Ne u kërkojmë të gjitha partive politike atje të punojnë së bashku në menyre konstruktive”, u shpreh Butler.

“I kemi parë raportet e po presim të shohim në mënyrë më të saktë edhe nga pikëpamja institucionale për zgjedhjen e tyre. Duhet të shohim me vëmendje nëse një gjë e tillë ishte apo jo në kundërshtim me Kushtetutën. Për momentin është kyc bashkëpunimi me një qeveri në Kosovë, sepse, sic e dini, për ne kjo përbën një cështje varësie për nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd, që është prioritet i rëndësishëm i yni. E kemi theksuar gjithashtu faktin se qeveria e re duhet të merret me cdolloj parregullësie të hasur gjatë procesit zgjedhor e i takon qeverisë që ta bëjë atë. Për aspektin institucional, po e vëzhgojmë atë në mënyrë të tërësishme, në mënyrë që të ndërmarrim veprime në rast nevoje”, theksoi ajo.

Ndërsa Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, tha: “Ne dhamë një qëndrim të qartë përsa i takon pozicionit tonë mbi formimin e qeverisë dhe zgjedhjes se presidentit të ri në Kosovë. Do të kemi një raund tjetër përfundimtar konsultimesh me autoritetet përkatëse, përpara se të nisim dialogun Prishtinë-Beograd. Besoj se dialogu do të nisë gjatë javëve të ardhshme, por nuk mund të japë një datë të qartë për këtë pa u mbyllur procesi i këtyre konsultimeve”.

Ndryshe nga tradita e deritanishme europiane, axhenda e presidentit të Komisionit, Barroso nuk përfshinte ende, sipas zëdhënësit të tij, ndonjë takim të mundshëm së afërmi me presidentin Bexhet Pacolli apo kryeministrin Hashim Thaci.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA