Mund të jetë shqiptarja më e moshuar, por edhe nëse dikush ka më shumë se 105 vitet e Xhumasë, ajo përsëri mbetet ndër shqiptarët e vetëm që mbajnë ende mend pavarësinë nga Perandoria Osmane.
Xhuma Taga, nëna e Zojes, gjyshja e Hasanit, stërgjyshja e Ivës dhe katragjyshja e Evaristos, ishte personazhi i vendosur në qendër të emisionit të pasdites në Top Channel.
Më 10 shkurt të këtij viti, ajo mbushi plot 105 vjeç, edhe pse sipas saj dhe familjarëve, gjendja civile ia ka ngrënë hakun, pasi mendohet që nënë Xhumaja është regjistruar disa vite me vonesë.
E ka mendjen top, siç thotë populli dhe po të mos ishte rrëzuar dy vjet më parë dhe të dëmtonte këmbën, me siguri tani do të levizte pa problem.
E vetëdijshme për moshën dhe për kurizitetin tonë për të mësuar për jeten e saj, Xhumaja kërkon përpara intervistës që t’a nxjerrim sa më mirë në kamera.
”Kam jetuar 106-107 vjeç. Ndoshta do të shkoj edhe 200 vjeçe. E ka tjetër kush në dorë këtë punë”, thotë njeriu që ka nisur shekullin e dytë të jetës së saj.
Nënë Xhumaja jeton në fshatin Shullaz të Laçit. Prindërit e kanë lënë jetime që në moshë të vogël dhe është rritur tek kushërinjte e saj.
”I kam bërë të gjithë punët me dorë, kam rritur tetë fëmijë, nga të cilët pesë i kam ende gjallë edhe sot. Kam kaluar një jetë shumë të vështirë”.
Ka përjetuar Luftën e Parë Botërore, të Dytën, Luftën e Ftohtë, komunizmin e demokracinë, por kujtimi më i hershëm historik është një këngë që kujton luftën e shqiptarëve kundër Krajlit serb Nikolla, të cilën e riprodhon në menyrë të admirueshme.
Nënë Xhumaja nuk ka pasur ndonjë regjim ushqimi të veçantë. Nuk ka përdorur duhanin apo alkoolin, por ka punuar shumë dhe ka dhuruar dhe marrë shumë dashuri. Për jetëgjatësinë e saj, familjarët japin disa alternativa.
”Mbase prindërit që i vdiqën herët dhe e lanë jetime i kanë dhënë asaj të gjithë ditët e tyre”, thotë e bija, Zoja, në dekadën e tetë të jetës së saj.
Ndërsa djali, Mustafai, jetëgjatësine ia dedikon faktit se e ëma ka qenë shumë aktive: “As ne të marrë të gjithë bashkë nuk kemi punuar sa ajo. Ka qenë aq punëtore sa askush nuk ia ka kaluar ndonjëherë”.
Shtati i saj i shkurtër duket se vazhdimisht ka qenë në vëmendjen e saj. Madje edhe në lidhje me bashkëshortin, i cili e ka lënë para 20 vitesh, por që e kujton pothuaj ditë për ditë për jetën e mirë të kaluar bashkë.
”Të them të drejtën, burrit më ka ardhur turp t’i qëndroj pranë, se ka qenë dy metra i gjatë, ndërsa unë dy shuplakë. S’di si më ka mbajtur për grua, megjithatë nuk i ka dalë keq”, thotë 105-vjeçarja, e cila ruan ende dozat e humorizmit.
Sipas Xhumasë, mundimet e mëdha të jetës, Zoti ia ka shpërblyer duke i dhënë një familje të madhe dhe të bukur, ku të gjithë pjesëtarët jetojnë gjatë. Vajza e saj, Zoja 84-vjeçare, tregon se vetem nga e ëma bëhen më shumë se 100 trashëgimtarë.
”Vetëm nga barku i nënës ne bëhemi mbi 150 nipa e stërnipa”, thotë Zoja. Nga më i madhi tek më i vogli dëshirojnë që nënë Xhumaja të vazhdojë të jetojë me dekada, pasi sakrificat e saj për ta kanë qenë të pafundme.
”Nënës së vërtetë nuk i thërrasim nënë, por katragjyshes po”, thotë nipi. “Ajo ka bërë shumë sakrifica. Më kujtohet njëherë që s’kishim bukë, ka shkuar në Tiranë për të na siguruar bukë”.
E rrethuar me shumë dashuri, 105-vjeçarja përfundoi: “Jetën më të mirë nuk e njoh dhe nuk e dua. Kush foltë për mua, jetën si unë e shkoftë dhe mos u pendoftë”. Ndërsa familjarët, i bashkohen të gjithë një urimi të veçantë: “Nëna, u bëfsh 200 vjeç”.
Top Channel