Një 65-vjeçar, i cili që prej dhjetë vitesh i është dedikuar tërësisht sportit, u vendos në fokusin e emisionit të pasdites në Top Channel.
I aktivizuar më parë politikë, me punën në administratë dhe me aktivitete të tjera shoqërore, Sotir Qiriaqi pothuajse e kishte harruar fare ngacmimin e tij të fëmijërisë, sportin, duke iu dhënë gjithnjë e më shumë edhe veseve që i sollën pak e nga pak shkatërrimin e shëndetit.
”Gjendja ime ishte alarmante. Isha përdorues i rregullt i alkoolit dhe cigares, nuk bëja një jetë të rregullt fizike. Ajo që më ndryshoi jetën ishte sporti dhe vrapimi në natyrë”.
Fillimisht, për Zotin Qiriaqi, kthimi nga natyra dhe nga sporti erdhi më shumë si një mënyrë për t’iu larguar stresit dhe për të përmirësuar shëndetin.
”Nisa të dilja nga Liqeni, një prej vendeve më të bukura dhe më të qeta të Tiranës. Vetëm këtu mund të arrija metamorfozën që unë pretendoja të bëja”.
Megjithë pasionin e hershëm për sportin, largimi i menjëhershëm nga jeta e njeriut që s’merrej me aktivitet fizik, drejt atij që bënte stërvitje dy herë në ditë, nuk ishte i lehtë.
”Fillimi ishte shumë i vështirë dhe atëherë nuk mendoja se do të arrija këtu ku jam sot, por falë një regjimi të fortë ushqimor dhe stërvitjes dy herë në ditë, bota e sportit arriti që të bëhej një pjesë e jetës sime”.
Vetëm pas pak kohësh me një regjim të tillë, Sotiri jo vetëm që arriti të largohej përfundimisht nga jeta e mëparshme dhe të shijonte frytet e para të përmirësimit të shëndetit, por vrapi u bë qendra e jetës së tij.
Sot, Sotir Qiriaqi është një maratonist amator, i cili ka marrë pjesë në mbi 40 maratona ndërkombëtare.
”Kur nisa stërvitjen, nuk e kisha menduar kurrë se do të bëhesha maratonomist. Erdhi në mënyrë spontante, pas stërvitjeve të vazhdueshme. Shumë njerëz janë befasuar nga transformimi që bëra, në një moshë që është shumë e vështirë të bësh ndryshime të tilla në jetë”.
Stërvitja për maratona i merr pjesën më të madhe të kohës së tij. Qëllimi nuk është për të garuar, por për të arritur deri në finish. Pikërisht finishi është fitorja e sfidës së tij.
”Unë kam marrë pjesë në maratona botërore me distanca 40 kilometra, 21 kilometra, por edhe në ultramaratona prej 100 kilometrash.
Është e domosdoshme që të jem në një peshë ideale, pasi vrapimi është një sfidë e madhe që bën njeriu”.
Maratonat e kanë bërë Sotirin të jetë pjesë e një tabloje universale, ku të gjithë i bashkon vrapi, të njohur e të panjohur, përmes vullnetit për të ndryshuar.
”Në botë ka njerëz shumë të njohur që u bashkohen maratonave, si Xhani Morandi, Bill Klinton, Joshka Fisher, kampionët e vërtetë të maratonave etj.
Në maratonën e fundit, atë të Firences, në vitin 2010, Kryetari i Bashkisë kishte bërë 360 ditë stërvitje vetëm për të garuar”, rrëfen Sotiri.
Zoti Qiriaqi pranon se në moshën që ai ndodhet, bërja e një maratone bëhet gjithmonë e më e vështirë.
”Të jesh 65 vjeç dhe të merresh me vrapim është një sfidë që i bën sëmundjeve dhe të gjithë ambientit në të cilin ndodhen sot shqiptarët”.
Pas 10 vitesh, Sotir Qiriaqi është një njeri që s’përdor as alkolin, as duhanin, që ka humbur rreth 30 kilogramë në peshë dhe që ndjehet shumë herë më i ri. Ka arritur metamorfozën, siç pëlqen të thotë ai. Por, tashmë cila është “maratona” e radhës për të?
”Duhet të pranojmë që njeriu është një krijesë që kërkon. Unë nuk kërkova këtë që kam sot, por më doli papritur, por tani që erdhi kjo formë, sfida është që ta mbaj. Unë i bëj thirrje njerëzve që të merren sa më shumë me sportin dhe t’i thonë jo veseve të jetës si alkooli dhe duhani”.
Top Channel