Solidariteti mes egjiptianëve

01/02/2011 17:10

Në mbarë Egjiptin, njerëzit po dhurojnë gjak për personat e plagosur në demonstratat masive të këtyre ditëve, ku të paktën 140 vetë kanë humbur jetën.

Spitalet, ambulancat dhe bankat e gjakut kanë punuar si normalisht, por nevoja për rezerva gjaku ka qenë e madhe dhe drejtuesit e tyre kanë inkurajuar njerëzit të dhurojnë më shumë.

“Është detyrim i çdo egjiptjani të dhurojë gjak për të plagosurit në protesta. Këta njerëz kanë dalë atje në shesh edhe për ne dhe janë lënduar, ndërsa mbronin të drejtat tona. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ta”, është shprehur një prej vullnetarëve.

“Besoj se çdo egjiptjan do t’i përgjigjej nevojave të vendit të tij. Nëse ka nevojë për gjak, ne do ta japim. Do të bënim gjithçka për vendin tonë”, thotë një tjetër.

Pushteti i Mubarakut duket më i brishtë se kurrë sot, kur rrugët e Kajros dhe Aleksandrisë po mbushen nga mijëra protestues për tubimet më të mëdha që nga fillimi i revoltës popullore.

Rrëzimi i tij do të nënkuptonte fundin e një regjimi që zgjat prej dekadash, duke sjellë një epokë të re në historinë e Egjiptit të ditëve tona e duke rikonfiguruar hartën gjeopolitike të Lindjes së Mesme, me shtrirjen e Uashingtonit dhe aleatëve të tij nga Izraeli në Arabinë Saudite të pasur me naftë.

Sipas komisioneres së OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, numri i të vdekurve gjatë trazirave në Egjipt mund të jetë 300.

Ajo shprehu shqetësim për bilancin e lartë të viktimave dhe kërkoi hetim të plotë e transparent për rolin e forcave të sigurisë në dhunën e këtyre ditëve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA