Tunizi, jep dorëheqjen Ministri i Jashtëm

27/01/2011 20:40

Ish-Ministri i Jashtëm i qeverisë së përkohshme tuniziane, Kamel Morjane, paraqiti dorëheqjen e tij të parevokuesme gjatë pasdites, raportuan mediat e vendit afrikanoverior.

Dorëheqja e tij vjen si pasojë e protestave disa ditore për largimin e figurave politike të lidhura me partinë e ish-presidentit të larguar, Zine al-Abidine Ben Ali.

Morjane braktisi partinë një javë më parë, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për demonstruesit që të hiqnin dorë nga protestat. Një ditë më parë, Tunizia lëshoi një mandat ndërkombëtar arresti për presidentin Ben Ali, i strehuar aktualisht në Arabinë Saudite.

Ai akuzohet për korrupsion, tjetërsim abuziv të fondeve shtetërore dhe kalim ilegal të shumave të mëdha të parave në llogari personale.

Top Channel