
Viti 2011 ka nisur furishëm me protesta dhe revolta civile në disa vende të botës. Protesta të dhunshme, konfrontim i turmës me forcat e qeverisë shpesh herë të shndërruara në tragjedi me jetë të humbura.
Protesta ka patur në Greqi për më shumë se një vit, cka solli ndryshimin e qeverisë. Tashmë janë disa vende njëherësh që janë përfshirë me protesta.
Në Tunizi, ish-presidenti Ben Ali u detyrua të largohej nga pushteti që e kishte prej më shumë se dy dekada. Pas Tunizisë, efekti domino ka përfshirë edhe Egjipitin, ku po zhvillohen protesta kundër presidentit Mubarak.
Vala ka përfshirë edhe Jemenin, vendin më të varfër të gadishullit arabik, ku edhe këtu protestuesit po konfrontohen me forcat qeveritare.
Së fundi, një javë më parë edhe në Shqipëri turma u përlesh me forcat e qeverisë, ku mbeten të vrarë tre veta, mbështetës të opozitës dhe u plagosën dhjetra të tjerë në radhët e protestuesve dhe forcave të rendit.
Motivet dhe shkaqet e protestave mund të jenë të ndryshme, por ca kanë të përbashkëta këto vende mes tyre? Të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse.
Vec Greqisë, të gjithë vendet e tjera janë të varfëra, me një nivel të ardhurash për frymë poshtë mesatares botërore.
Shqipëria dhe Tunizia shfaqen më mirë me 8300 dhe 8200 dollarë sipas fuqisë blerëse, ndërsa në Egjipt të ardhurat mesatare janë 5600 dhe në Jemen, vendi i fundit i përfshirë nga protestat, ato janë rreth 2470.
Por, vec treguesve ekonomikë, e përbashkëta më e madhe e këtyre vendeve ka të bëjë ndoshta me tregues të mirëqeverisjes.
“The Economist” i klasifikon Egjiptin, Jemenin dhe Tunizinë vende me regjim autoritar, jo demokratik. Ndërsa Shqipëria është në një fazë të ndërmjetme mes regjimit autoritar dhe demokracisë, i qujatur regjimi hibrid.
Vetëm Greqia ka një demokraci funksionale. Së dyti, të gjitha janë me pullë të kuqe në hartën globale të korrupsionit, që publikon Transparency International.
Jemeni është vendi më i korruptuar me një tregues 2.2, cka tregon një nivel të lartë korrupsioni. Më pas vjen Egjipti me 3.1. Ndërsa e treta renditet Shqipëria, ku indeksi sipas Transparency International është 3.3.
Në nivele të ngjashme korrupsioni është edhe fqinji ynë Greqia, që ka një indeks prej 3.5. Madje, në rastin e Greqisë, për shumë analistë korrupsioni ishte shkaku kryesor i revoltave.
Tunizia është ajo që renditet më mirë në këtë tregues, ku niveli i korrupsionit është më i moderuar sesa vendet e tjera.
Por pas korrupsionit vendet e përfshira nga protestat kanë edhe një tjetër emërues të përbashkët, që është ai i lirisë së medias.
Sipas Freedom House, vec Greqisë që konsiderohet e lirë, të gjitha vendet e tjera konsiderohen ose pjesërish të lira, ose jo të lira.
Top Channel