Lideri i grupit terrorist të Al-Qaeda, Osama bin Laden, deklaroi në një mesazh audio se lëshimi i pengjeve franceze në Niger varej prej largimit të ushtarëve francezë nga tokat muslimane.
Në lajmin e raportuar nga Agjensia Franceze e Lajmeve (AFP), kreu i organizatës famëkeqe kërcënoi me sulme terroriste në tokën francezë, në të njëjtën kohë që justifikoi vrasjen e dy civilëve të pafajshëm në Niamei, Niger.
”Presidenti Nicolas Sarkozy refuzoi që të largonte forcat e tij nga Afganistani dhe kjo nuk ishte asgjë tjetër përveçse dhënia e dritës jeshile për vrasjen e pengjeve franceze”, deklaroi Bin Laden, fjala e të cilit u transmetua e plotë në televizionin arab Al Jazeera.
”Mënyra se si vepron Sarkozy, është e qartë që do të sjellë pasoja për vendin. Franca dhe interesat e saj nëpër botë do ta paguajnë shumë shtrenjtë këtë politikë”.
Shtatë të huaj, përfshi pesë shtetas francezë, mbahen peng nga një organizatë islamike e lidhur me Al Qaeda në Niger. Në total, tetë shtetas francezë mbahen peng në botë. Dy të tjerët ndodhen në Afganistan, të kapur prej një grupi talibanësh, ndërsa tjetri prej piratëve në Somali.
Ndryshe nga Britania apo Spanja, Franca nuk është sulmuar asnjëherë nga Al Qaeda në tokën e saj, pavarësisht se është një antare e NATO-s që morri pjesë aktivisht në pushtimin e Afganistanit, vend ku ka ende trupa.
Top Channel