
Një prezantuese e njohur në televizionet shqiptare, Ketrin Gjocaj zbuloi kujtimet e kohës kur i sillte shqiptarëve Vitin e Ri, në emisionin e pasdites në Top Channel.
Në emisionet e fundvitit të Shqipërisë komuniste ishte e zakonshme që një fëmijë të përfaqësonte Vitin e Ri. Ai hynte në skenë në mesnatë dhe i thonte fëmijëve të tjerë: “Mirëse ju gjej fëmijë të dashur, unë jam Viti i Ri”.
”Në vitin 1976, kur isha në klasën e gjashtë, më zgjodhën mua. Më pas më thirrën përsëri në dy vitet pasardhëse”, kujton Ketrina. “Ishte një privilegj i fëmijëve të shëndetshëm dhe të bukur. Unë isha e tillë e vogël”.
Për të, nuk ishte vetëm një rol. “Ruaj kujtime të shkëlqyera”, thotë Gjocaj. “U bëra njësh me rolin, e adhuroja atë. Ishte diçka shumë e bukur të ishe personi që i sillte Vitin e Ri të gjithë shqiptarëve”.
Një figurë legjendare, ajo e Babagjyshit është edhe një imazh që ka një impakt pozitiv në psikologjinë e fëmijës, të paktën sipas Enerisa Guberajt, një psikologe e punësuar pranë një kopshti.
”Nga mosha 3-6 vjeç fëmijët hyjnë në kontakt me të gjithë personazhet e botës së tyre. Ata flasin me pikturat që shohin, me personazhet fantastikoshkencorë dhe besojnë se të gjithë gjërat që shikojnë janë të vërteta. Koncepti i Babagjyshit të Vitit të Ri i ndihmon që të zhvillojnë imagjinatën”, thotë Enerisa.
Sipas saj, prindërit nuk duhet t’i frikësohen një shoku të mundshëm të fëmijës, atëherë kur do të zbulojë se Babagjyshi nuk ekziston. “Shumica e fëmijëve ndihen krenarë që janë rritur aq sa për të zbuluar të vërtetën. Të mësosh që Babagjyshi nuk ekziston nuk është një traumë”.
Top Channel