Piratët somalezë godasin përsëri

28/12/2010 14:45

Piratët somalezë goditën sërisht mesditën e sotme, duke sekuestruar një anije me një ekuipazh prej tetë vetash, njoftoi gjatë drekës Forca Detare e Bashkimit Europian.

Me këtë grabitje, numri i personave të mbajtur peng në pritje të dëmshpërblimit shkon në 609. Anija tregtare kishte në bordin e saj një marinar rumun dhe shtatë filipinas. Ajo lundronte me flamurin gjerman dhe po transportonte naftë në Greqi nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Piratët lëvizin shumë shpejt në det, falë gomoneve të shpejta, por zgjerimi i rezes së tyre deri 400 kilometra nga bazat në Somali bën të qartë një ndryshim në taktikat e sulmit. Ata tani përdorin anije mëmë më të mëdha, për të lëshuar gomonet kur i afrohen kundërshtarëve.

Sipas informacioneve të komandës detare të Bashkimit Europian, përveç qindra pengjeve, mbahen të sekuestruara edhe 26 anije. Somalia nuk ka një qeveri funksionale që prej vitit 1991 dhe grabitjet janë shndërruar në një mënyrë mbijetese për shumë somalezë.

Vija e gjatë bregdetare e vendit dhe pyjet tropikale pranë detit e kanë shndërruar ambientin në një parajsë për piratët.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta