
Forcat e policisë në Bjellorusi kanë arrestuar me qindra njerëz, në protestat e dhunshme të shpërthyera pas konfirmimit të Lukashenkos si president, në zgjedhjet e mbajtura një ditë më pare.
Lajmi u raportua gjatë drekës në mediat ndërkombëtare, të cilat shtuan se shumë prej personave të ndaluar prej forcave të rendit janë rrahur dhe shoqëruar në komisariate pa marrë ndihmesën e nevojshme mjekësore.
OSBE, SHBA dhe Bashkimi Europian dënuan ngjarjen dhe bënë thirrje për qetësi. Të paktën shtatë kandidatë presidencialë janë ndaluar gjithashtu, pas pjesëmarrjes së tyre në protestat, gjatë të cilave godina qeveritare u sulmuan në kryeqytetin Minsk.
Presidenti Aleksandër Lukashenko, në fuqi që prej vitit 1994, fitoi mandatin e tij të katërt, me pothuajse 80% të votave, por opozita e akuzoi për manipulime të rënda të rezultatit.
“Vandalët dhe huliganët humbën faqen e tyre njerëzore. Ata u shndërruan thjesht nëpër bisha. Nuk do të lejojmë që të ketë revolucion apo barbarizëm në Bjellorusi”, deklaroi presidenti gjatë një konference për shtyp në Minsk. Më parë gjatë javës, ai kishte akuzuar për huliganizëm, pedofili, shthurrje dhe varësi nga droga disa prej antarëve që udhëhiqnin fushatat zgjedhore të rivalëve.
I pyetur për akuzat e manipulimeve nga mediat ndërkombëtare, Lukashenko konsideroi zëra të tilla si shpifje dashakeqëse. “Gjithçka është zhvilluar në përputhje me ligjin. Kjo ka qenë një fushatë e hapur, mbase më demokratikja e realizuar ndonjëherë në vendin tonë”.
Përpara fjalëve të Lukashenkos, OSBE i deklaroi zgjedhjet e presidenciale si shumë larg standarteve demokratike të kërkuara. “Disa përmirësime mund të jenë bërë me zgjedhjet e shkuara, por për të arritur në standarte demokratike duhet bërë ende një rrugë shumë e gjatë”, deklaroi OSBE.
“Numërimi i votave nuk ishte transparent dhe mediat nuk kishin akses në të, duke krijuar hije dyshimi. Në pjesën më të madhe të territorit, monitoruesit tanë nuk u lejuan që të merrnin pjesë në numërim, ndërsa të paktën 14 kuti zgjedhore janë raportuar të dëmtuara”.
Top Channel