Korea e Veriut tërhiqet nga provokimet

20/12/2010 15:30

Korea e Veriut deklaroi se nuk do të reagojë ndaj “provokimeve të hapura” të fqinjëve jugore, duke u tërhequr nga kërcënimet për luftë, paralajmëruar përpara nisjes së stërvitjeve ushtarake të Seoul-it.

Lajmin e bëri të ditur Agjensia Shtetërore e Lajmeve të Pyongyang-ut, “KCNA”. Korea e Jugut është duke zhvilluar një stërvitje ushtarake në ishullin e bombarduar gjatë nëntorit prej komunistëve, sulm i papritur që shkaktoi vdekjen e katër personave.

Ishulli ndodhet shumë pranë kufirit detar midis dy Koreve, arsye që e shtynë qeverinë e Pyongyang-ut të deklaronte se stërvitjet me artileri në këtë ishull do t’i konsideronte si një akt agresioni dhe do të reagonte në mënyrën e nevojshme.

Situata u tensionua një ditë më parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi Kina refuzoi të hiqtë dorë nga mbështetja ndaj aleatëve të tyre të Koresë së Veriut. Megjithatë, tërheqja e qeverisë komuniste vjen si një lehtësim i madh për Seoul-in dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Komanda Revolocionare e Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Koresë së Veriut nuk e ndien të nevojshme që të reagojë ndaj çdo provokimi ushtarak të armiqve tanë”, citonte KCNA, Komandën e Lartë. “Bota duhet të mësojë se ne duam të promovojmë paqen dhe të kuptojë se kush është provokuesi i vërtetë”.

Top Channel