Do të vizitojmë së bashku sot një nga klasat më të veçanta ku marrin mësim një grup i zgjedhur gjimnazistësh. Një klasë pilot.
Ata shumë prej lëndëve të zakonshme të një gjimnazisti, i zhvillojnë jo në gjuhën amtare, por në gjermanisht.
“Avantazhet më të mëdha që kemi nga ky projekt është edhe njohja dhe përvetësimi i gjuhës gjermane. Në datën 7 dhjetor ne dhamë një provim ndërkombëtar dhe me nivelin e arritur mund të studiojmë pa problem në Gjermani”, shprehet një prej nxënësve.
Joni dhe Orieli, dy prej nxënësve më të mirë të vitit të dytë na tregojnë se sistemi dygjuhësh i ka ofruar atyre dhe nxënësve të tjerë si ata mundësi të ndryshme për të marrë pjesë në aktivitete jashtëshkollore, konkurse dhe vizita në disa shkolla paralele në Gjermani.
“Ishte një eksperiencë shumë e bukur pasi vizituan edhe qytete të ndryshme në Gjermani si Mynihu, Shtutgart, Berlin, shkuam në parlament”, tregon Joni.
Por duket se rritja e kërkesës për të frekuentuar këto klasa ka sjellë përcaktimin e disa kritereve të domosdoshme për t´u bërë pjesë e tyre. Alesia ishte një nga të përzgjedhurit e këtij viti që është ende në hapat e parë të marrjes së njohurive bazë në gjermanisht.
“Për t’u pranuar në këtë projekt unë kam mësuar shumë në mënyrë autodidakte gjuhën gjermane”, tregon Alesia.
Dhe në fakt duket se ky format i ri mësimdhëniejeje është një sprovë edhe për mësuesit. Tashmë, nuk mjafton kualifikimi i tyre vetëm në gjermanisht apo vetëm në matematikë, histori apo gjeografi. Mësuese Bruna, është ndër të paktat që ka kualifikimin e nevojshëm për mësimdhënien në këto grupe. Ndër të tjera ajo na tregon veçantinë e programit të klasave pilot në ndryshim nga klasat e tjera.
“Ajo që është e veçanta më e madhe është prania e mesuesve gjermane bën që kontakti dhe me disiplinën të jetë edhe më i afërt. Nxënësit kanë mundësinë që t’i ndjekin mesimet edhe në gjermanishten reale teksa flitet nga profesorë gjermanë”, thotë mësuesja.
Drejtuesi i kësaj iniciative në Shqipëri, Hans Zeller shprehet i kënaqur me angazhimin e nxënësve dhe vijueshmërinë e programit në vendin tonë.
“Vitin e ardhshëm vlen për t’u theksuar fakti se do të nënshkruhet një marrëveshje mes këshillit të ministrave dhe palës gjermane. Projekti fillestar i nisur në 2008-ën, në maturën 2014-2015 do të finalizohet me diploma ekivalente me diploma të nxënësve gjermanë”, shpjegon Zeller.
Në kohët e sotme, diversiteti i njohurive gjuhësore përkthehet me një fillim të mbarë drejt studimeve universitare sot dhe një vend të mirë pune nesër. Nxënësit e klasave pilot, janë të parët që e kanë kuptuar këtë.
Top Channel