Assange: Terroristë janë vetë SHBA

20/12/2010 18:40

Julian Assange ia ka kthyer dërguesit, në këtë rast zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, akuzat për terrorizëm.

Biden e kishte përkufizuar themeluesin e faqes së internetit Wikileaks si një terrorist të teknologjisë së lartë.

“Sipas Biden, të thuash të vërtetën mbi SHBA është terrorizëm. Terrorizëm është të përdorësh dhunë për qëllime politike”, ka deklaruar Assange për gazetën spanjolle “El Pais”.

Ai ka bërë të ditur se në momentin kur do të dilte nga burgu londinez, policia britanike kishte frikë se mos e vrisnin.

“Kushtet në burgun britanik të Wandsworth ishin shumë të rënda. Më mbyllën në izolim nga frika se mund të më sulmonin ose vrisnin”, ka treguar themeluesi i Wikileaks.

Ai ka shtuar më tej se merr në vazhdimësi kërcënime me vdekje, shumica e të cilave sipas tij vijnë nga forcat e armatosura amerikane.

Top Channel