
Ekspertët e kundër-terrorizmit britanik paralajmëruan mëngjesin e sotëm
se të dërguar të grupimeve të mëdha terroriste, përfshi Al-Qaeda, po
shqyrtojnë sigurinë nëpër aeroportet e Britanisë së Madhe.
Lajmin e bëri të ditur e përditshmja “The Guardian”, një ditë pasi një valixhe e dyshimtë shkaktoi evakuimin e menjëhershëm të aeroportit të Mançesterit.
Në dy aeroporte të vogla rajonalë janë ndaluar pajisje që mund të mbajnë lëndë eksplozive në gjashtë muajt e fundit, të cilat duhet të jenë përdorur për të testuar paraprakisht gatishmërinë e forcave të sigurisë në aeroporte.
Një prej këtyre valixheve të dyshimta kishte të lidhur një telefon celular “Black Berry”, me një biberon fëmijësh, brenda të cilit kishte një kabëll, i ngjashëm me ata që aktivizojnë një bombë.
“Jemi të sigurt se aeroportet tona po testohen vazhdimisht, për gjetjen e hallkave të dobëta nga ku një sulm i mundshëm mund të ndërrmeret”, deklaroi një zyrtar i kundërterrorizmit. “Eshtë thelbësore që në këtë moment të tregohemi veçanërisht vigjilentë”.
Aeroportet kanë nisur ndërkohë eksperimentet mbi një pajisje të re të sofistikuar, e cila do të sinjalizojë policinë në rastet kur do të vëzhgohen sjellje të dyshimta prej pasagjerëve.
Sipas autoriteteve britanike, mundësia e një sulmi në qytetet e vendit është e ulët, por mjetet e komunikacionit janë tejet të ekspozuar. Pak kohë më parë, një eksploziv i fshehur në disa pako u tentua të transportohej në Britani nga Jemeni.
Al-Qaeda dhe grupe të tjera islamike e kanë patur të vështirë të depërtojnë nëpër avionë që pas sulmeve të 11 shtatorit, por aeroplanët mbeten përsëri në qendër të vëmendjes së terroristëve. Një tentativë e dështuar për të shpërthyer një bombë artizanele në një udhëtim nga Amsterdami në Dallas, një vit më parë, provoi edhe një herë këtë.
Top Channel