Hetim tragjedisë së emigrantëve në det

16/12/2010 13:10

Australia ka nisur një hetim mbi tragjedinë e Christmas Island, ku një
anije me klandestinë u mbyt një ditë më parë, duke marrë 28 jetë
njerëzish.

HetKryeministrja Julia Gillard paralajmëroi se trupa të tjerë mund të nxirren nga deti, pasi anija mendohet të ketë pasur në bord më shumë se 70 pasagjerë nga sa u mendua fillimisht.

42 vetë u arritën të shpëtoheshin një ditë më parë, por nga ujrat e trazuara në brigjet e Christmas Island nuk është nxjerrë më asnjë i mbijetuar.

Pamjet e anijes së drunjtë që përplasej me shkëmbinjtë dhe njerëzve që luftonin me dallgët, pushtuan edicionet informative australiane. Këtë herë, thotë BBC, nuk u fol vetëm për shifra klandestinësh që gjejnë vdekjen në një jetë më të mirë. Këtë herë, impakti i fatkeqësisë ishte shumë më i prekshëm e thellësisht shokues.

Shtypi vendas është përgjithësisht i prirur të dënojë vërshimin e azilkërkuesve nga deti, të konsideruar si njerëz që kapërcejnë radhën, pasi nuk duan të kalojnë nëpër rrugët dhe filtrate normale të kërkimit të azilit. Emigrantët që mbërrijnë me avion nuk tërheqin kurrë të njëjtën vëmendje, apo të njëjtin reagim paranojak, siç e përshkruajnë grupet në mbështetje të tyre.

Fatkeqesia e Christmas Island e ka përshkallëzuar debatin mbi barkat e emigrantëve, ndonëse politikanët australianë kanë vendosur për momentin një lloj armëpushimi në shenjë respekti për viktimat.

Vitet e fundit, është shtuar shumë numri i njerëzve që mbërrijnë në Australi nga Sri Lanka, Irani, Iraku dhe Afghanistani me varka, në rrugëtime të organizuara nga trafikantët e njerëzve, një tregëti mizore, siç e përshkruan kryeministrja Gillard, aleate e të gjelbërve dhe të pavarurve që kërkojnë politika më të buta emigracioni.

Top Channel