Bregu i Fildishtë, ushtria plumba protestuesve

16/12/2010 14:45

Ushtria e shtetit afrikan të Bregut të Fildishtë hapi zjarr në mesditë
mbi një turmë protestuesish, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre
personave. Në ngjarjen e ndodhur në kryeqytetin Abidjan, demonstruesit
po përpiqeshin të hynin në televizionin kombëtar.

Ushtarët janë besnikë të Lorent Gbagbo, kandidatit për president që refuzon të pranojë humbjen në zgjedhje dhe zotëron mbështetjen e ushtrisë. Të shtëna u dëgjuan edhe në afërsi të hotelit ku qëndron kandidati rival, Alassane Ouattara.

Hoteli ruhet nga 10 000 paqeruajtës të OKB-së, për të shmangur vrasjen e liderit të opozitës. Situata në vend ka qenë kaotike që prej luftës civile të vitit 2002.

Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk vonoi të dënonte lajmin. “Sekretari i përgjithshëm dëshiron të kujtojë të gjithë ata që kanë përdorur mbrojtjen e medias për të ushtruar dhunë, se do të mbahen përgjegjës për aktet e tyre”, tha zëdhënësi i Ban Ki-Moon, Martin Nesirky.

Sipas gazetarëve perëndimorë, armë të rënda janë përdorur për të shtypur me dhunë protestën. Për të bllokuar rrugët, tanqet e ushtrisë u përdorën.

Agjensia Telegrafike Franceze raportoi edhe për katër të vdekur të tjerë në dhunën e shpërthyer nëpër rrugë, por lajmi nuk është konfirmuar ende.

Komisioni Elektoral i Bregut të Fildishtë informoi gjatë muajit se fitues i zgjedhjeve të nëntorit ishte kandidati i izoluar në hotel, Ouattara, me 54,1% të votave. Shumë dyqane janë dëmtuar dhe raportohet të jenë në flakë.

Top Channel