
Gjykata e Lartë Britanike mund të vendosë sot për lirimin me kusht të
themeluesit të faqes “Wikileaks”, Julian Assange, ndërsa procesi është
duke u zhvilluar.
Avokati i tij mbrojtës, Mark Stephens u shpreh optimist, ndërsa i gjykoi provat si të pamjaftueshme për të mbajtur klientin e tij pas hekurave.
“Shpresoj që të lirohet. Ai është një njeri i pafajshëm, deri sa të provohet ndryshe. Kjo është një çështje që po vuan influencën politike”, deklaroi Stephens. “Shuma e kërkuar për lirimin me kusht është qesharake. Shumë njerëz duhet të përgjigjen për këtë, duke nisur që nga Kryeprokurori.
39-vjeçarit Assange iu akordua lirimi me kusht më parë gjatë javës, në shkëmbim të një garancie pasurore prej 240 mijë stërlinash. Megjithatë, ai mbeti në burg, pasi autoritetet suedeze apeluan ndaj vendimit.
Austaliani kërkohet në vendin skandinav për akuzën e përdhunimit dhe abuzimeve seksuale, akuzë e hedhur poshtë më parë prej tij.
Julian Assange është shndërruar në personin më të përfolur të botës në javët e fundit, pasi faqja e tij “Wikileaks” ka publikuar rregullisht sekrete të administratës amerikane dhe dokumente të komunikimit të Uashingtonit, me ambasadat e tij nëpër botë.
Top Channel