
Pas një seance gjyqësore dramatike, në Gjykatën e Lartë në Londër të
ndjekur nga 200 gazetarë të mediave botërore, shefi Wikileaks Julian
Assange ka fituar lirinë me kusht.
Gjykatësi Duncan Ouseley ka kundërshtuar pretendimet e përfaqesueses së Suedisë e cila i tha gjykatës, se nëse Assange fitonte lirinë me kusht, ai do të zhdukej duke mos u paraqitur në gjykatë.
39-vjecari australian, që vazhdon së publikuari kabllogramet e diplomacisë amerikane, do të qëndrojë në një shtëpi në zonën Suffolk, pronë e mikut të tij Von Smith duke u paraqitur cdo ditë ne polici.
Avokatët e zotit Assange kanë depozituar një garanci pasurore prej 240 mijë stërlinash.
Assange i cili kërkohet të ekstradohet në Suedi për dy ngacmime seksuale, ndodhur në muajin gusht 2010, fitoi lirinë me kusht dy ditë më parë nga Gjykata e Ekstradimeve, por përfaqësuesja e Suedisë apeloi.
Të gjitha informacionet e dy ditëve më parë linin të besohej se vendimi për të apeluar lirinë me kusht ishte kërkuar nga Suedia.
Në fakt Suedia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë por prokuroria britanike duke hedhur hije dyshimi për një reagim britanik përtej asaj cfarë i është kërkuar nga Suedia.
Më 11 Janar 2011 Julian Assange do të paraqitet përsëri në Gjykatën e Ekstradimeve ku palët do t’i raportojnë gjykatësit progresin e bërë në përgatitjen për seancën finale të ekstradimit.
Top Channel