
Presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë “në rrugën e duhur” për të arritur objektivat e tyre në Afganistan.
Deklarata e Obama vjen pas publikimit të strategjisë vjetore të Shteteve të Bashkuara, në të cilën vlerësohej se lidershipi i Al Kaedës është më i dobët se kurrë.
Sipas presidentit, Amerika ka arritur progres të mjaftueshëm për të nisur “një reduktim të përgjegjshëm” të trupave në korrik të vitit 2011.
“Kjo vazhdon të mbetet një përpjekje shumë e vështirë, por SHBA do të mbeten të papërkulshme në ndjekjen e Al Kaedës”, ka deklaruar Obama.
SHBA planifikojnë t’i japin fund operacioneve luftarake në vitin 2014 dhe t’ia kalojnë përgjegjësinë autoriteteve afgane.
Strategjia e Shtëpisë së Bardhë publikohet në një kohë kur vrasjet e civilëve në Afganistan kanë qenë më të lartat që prej vitit 2001.
Këtë vit është regjistruar gjithashtu gjakderdhja më e madhe në radhët e trupave të huaja që prej 2001-shit, me marinsat amerikanë që mbajnë vendin e parë.
Top Channel