SHBA, ok zgjatjes së lehtësisë fiskale

15/12/2010 21:30

Ligji prej 858 miliardë dollarësh për të zgjatur deri në fund të vitit 2012 shkurtimet fiskale të epokës Bush ka marrë mazhorancën në Senatin amerikan.

Sipas rrjetit televiziv CNBC, votat kishin arritur kuotën e nevojshme për miratim para se procesi i votimit të përfundonte.

Konsensusi i gjerë ishte arritur me rezultatin e pastër të ditës së hënë, kur mbi 80 senatorë votuan pro hapjes së debatit që paraprin votimin përfundimtar.

Ligji, që parashikon lehtësi fiskale për të gjithë qytetarët amerikane, kalon kështu tek Dhoma, e cila duhet të shprehet në ditët e ardhshme.

Nëse teksti i aprovuar do të jetë ndryshe nga ai i Senatit, atëherë ligji do të kthehet mbrapsht për një votim të dytë.

Ligji parashikon mbështetje për një vit për të papunët dhe përfitime fiskale për familjet me buxhet të ulët.

Dy pika këto, për të cilat presidenti Barack Obama ka insistuar shumë dhe që sjellin lehtësi fiskale për vitin 2011 dhe 2012 përsa i përket taksës mbi pronësinë e patundshme.

Top Channel