Moskë, 1 mijë në pranga për dhunë etnike

15/12/2010 19:20

Rreth 1 mijë persona janë arrestuar në qendër të Moskës, në mënyrë që të shmangen përplasjet etnike pas sulmit me armë zjarri ndaj një tifozi.

Arrestimet janë kryer pasi grupe të rinjsh, shumica e të cilëve bërtisnin parulla nacionaliste, u mblodhën në afërsi të stacionit hekurudhor të Moskës.

Vdekja e një tifozi të ekipit të futbollit Spartaku i Moskës, në një përleshje me disa tifozë nga Kaukazi Verior, ka shkaktuar protesta dhe sulme ndaj minoriteteve.

Disa dhjetra persona të tjerë raportohet se janë arrestuar edhe në qytete të tjera të Rusisë. Policia në Shën Pietërburg ka ndaluar 60 persona, ndërkohë që në Samara janë prangosur 100 të tjerë.

Zëdhënësi i policisë së qytetit të Moskës, Viktor Biryukov ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Interfax” se shumica e arrestimeve u kryen tek stacioni hekurudhor i Moskës, Kievski.

Top Channel