Forcat politike po zhvillojnë fushatën e tyre nëpër të gjithë Kosoven.

Në ditën e tretë të fushatës AKR zhvilloi një bisedë me të rinj në Qendrën Rinore të Prishtinës ku shpalosi programin e Aleancës për këtë grupmoshë.

AAK në ditën e tretë zgjodhi Vushtrinë për të mbajtur ndalesën e radhës ku para elektoratit drejtuesit e kësaj force politike premtuan se nëse del fituese në 12 dhjetor do të punojë për krijimin e një shteti të mirëfilltë ligjor, zhvillim e rritje të mirëqenies. Ukë Rugova, kryesuesi i Listës Rugova në aleancë me AAK-në u shpreh se këto forca nuk do të japin shumë premtime, por do të punojnë ashtu siç ka punuar Ibrahim Rugova.

Në ditën e tretë të fushatës lëvizja “Vetëvendosje” mbajti takim me qytetarët në Gjilan, ku kreu Albin Kurti theksoi edhe njëherë se pavarësia e Kosovës do të mbetet pavarësi formale nëse nuk i shtohet sovraniteti dhe zhvillimi ekonomik.

Fryma e Re u ndal në qytetin e Pejës dhe Istog ku në takim me qytetarët drejtuesit e kësaj partie premtuan se me ardhjen në pushtet mund të bëjnë liberalizimin e vizave brenda 18 muajve. Ata premtuan një qeverisje pa korrupsion dhe krim të organizuar.

LDD vijoi fushatën e saj në Komunën e Malishevës duke u kërkuar mbështetësve dhe qytetarëve që sipas tyre, të orientohen nga vlerat.

Top Channel