Partia Demokratike e Kosovës dje nominoi Hashim Thaçin edhe për një mandat në postin e Kryeministrit të Kosovës.

PDK-ja ka zhvilluar dje një konventë zgjedhore alla amerikane, ku si fillim është kënduar himni kombëtar shqiptar dhe fjalimet kanë qenë më shumë premtime elektorale.

Para pjesëmarrësve të kësaj konvente për figurën e Thaçit folën një student, një pensionist dhe një ish-pjesëtar i UÇK-së.

Ata i shprehën falënderimet për gjithë ç’kishte bërë deri tani për ta – që të jenë studentë të lumtur, pensionistë pa brenga dhe luftëtarë që i sollën vendit lirinë.

Ata thanë se me Hashim Thaçin Kryeministër, gjatë viteve që vijnë, ndiejnë siguri se çdo gjë do të jetë më mirë për ta e Kosovën.

Ndërkohë, propozimi i nënkryetarit të kësaj partie, Hajredin Kuçi, që Hashimi të jetë kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, për të cilat u shpreh i bindur se, “PDK do t’i fitojë”, u prit me ovacione e duartrokitje të gjata nga pjesëmarrësit.

Kuçi, në favor të kandidatit, përmendi lirinë e fituar me të, pavarësinë e shpallur prej tij, prosperitetin ekonomik dhe transformimet që i hapin rrugë vendit drejt euro-integrimeve.

Thaçi, në fjalën e tij, nuk i kurseu premtimet për mirëqenien që e pret popullin e Kosovës dhe vendin nën drejtimin e tij gjatë viteve të ardhshme, si dhe shndërrimin e Kosovës pjesë të Bashkimit Europian, si vendet e tjera. Ai falënderoi ata që ia besuan drejtimin e
partisë e të vendit gjatë viteve të shkuara.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta