
Prej një viti, në edicionet e lajmeve jemi mësuar që herë pas here të raportohet për dhunën në shkolla.
Rasti i fundit ishte ai i datës 23 nëntor, 800 metra larg shkollës së mesme “Eqerem Cabej”, nxënësi Dhimitër Kushgjini, u godit me katër thika në trup nga bashkëmoshatari i tij, Alket Hida. Ngjarja u komentua për motive të dobta.
Një ngjarje e përafërt ndodhi në 22 nëntor 2010 në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë, ndërkohë që në kryeqytet dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, në harkun kohor të një viti konstatohen situata të ngjashme.
Në 16 maj 2009, në ditën e tretë të fillimit të vitit të ri arsimor një 14-vjeçar me inicialet E.P. plagoset me thikë nga bashkëmoshatari i tij për një sherr.
12 nëntor 2009. Në Vlocisht të Korçës, në ambientet e shkollës 8-vjeçare “3 Dëshmorët” një tjetër 14-vjeçar plagoset nga bashkëmoshatari i tij.
Në këtë kalendar incidentesh psikologët japin alarmin: “Kjo është një situatë alarmante për dy arsye: e para, sepse tregon mungesën e vëmendjes tonë dhe e dyta, në këtë brez, kur fillon e shfaqet një dukuri, siç është në këtë rast tendenca për dominancë, kërkohet që të imitohet nga grupet e tjera dhe mund të përhapet shpejt.”
Alarmi për pajisjen e objekteve mësimdhënëse me policë është hedhur nga vetë prindërit një vit më parë duke kërkuar që shkolla të ketë një polic.
Edhe tani, e njëjta gjë kërkohet nga prindërit, por drejtori i shkollës “Eqerem Cabej”, Adrian Grabocka, thotë se ngjarja e 22 nëntorit nuk bën fjalë për “sigurinë në shkollë” sesa atë të rrugës: Unë mendoj se nuk duhet polici, pasi shkollat janë të rrethuara. Pastaj, ngjarja nuk ndodhi në shkollë por jashtë.”
Të njëjtin mendim ndan edhe psikologu Edmond Dragoti, vendet publike, sipas tij, dhe në rastin tonë shkolla, do të “shokohej” me praninë e forcave të tilla të sigurisë: “Prania e policit është jo qytetare dhe tregues i paaftësisë së mësuesit. Gjithashtu mund të ketë efekt të kundërt sepse kur sheh armën mund të ndikohesh të përdorësh dhunën”
Ndërsa Ministria e Arsimit e projekton “problemin” tek mbarëvajtja jo e mirë e mësimdhënies nga stafet pedagogjike, Edmond Dragoti , përveç kësaj, jep edhe një zgjidhje që prej kohësh po diskutohet për shkollat e mesme: “Konfliktet e kësaj natyre tregojnë mungesën e punonjësve socialë nëpër shkolla. Duhet patjetër punonjësi social.”
Shkolla është sistem i krijuar nga shoqëria për interesat e vetë shoqërisë, nga rastet e tilla mësojme se elementë të këtij sistemi, siç janë nxënësit, mësuesit dhe ata indirekt, prindërit, nuk funksionojnë mirë. E deri sa vakumi i marrëdhënies prindër-mësues të mbushet, ne “do të ngremë supet” dhe do të lutemi që ngjarje të tilla të mos të përsëriten më.
Top Channel