Valixhja e dyshimtë, test sigurie
19/11/2010 14:05
Pakoja e dyshimtë e zbuluar në Namibi dhe që përmes avionit do të dërgohej në Gjermani ishte një imitim i bërë për të testuar sigurinë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere i cili ka deklaruar se pas hetimeve paraprake është arritur në përfundimin se bëhej fjalë vetëm për një test.
Ai ka nënvizuar se në valixhe nuk kishte asnjë lëndë shpërthyese dhe se ajo nuk ka qenë në asnjë moment e rrezikshme për pasagjerët e avionit.
Valixhja u gjet në aeroportin e Uindhoekut, kryeqyteti i Namibisë, duke bërë që të jepej një alarm ndërkombëtar sigurie.
Ministri De Maiziere nuk tha se kush e ka kryer testin e sigurisë, por shtoi vetëm se agjentët gjermanë po vijojnë hetimet.
Top Channel