
Shumë njerëz pyesin: çfarë është Dukati? Me rubrikën tonë Travel, do të bëjmë sot një udhëtim në këtë territor që përveç tensionit të fundit social, ka edhe ai identikitin e vet.
Dukati, ështe një nga fshatrat më të mëdhenj në Republikë, që e takon ndërsa përshkon rrugën Vlorë-Llogara. Për nga sipërfaqja dhe numri i popullsisë. është i ndarë në dy pjesë, në Dukatin e Vjetër dhe atë të Ri, i vjetri i njohur si vendbanim edhe në kohë të vjetra, e i riu i ndërtuar në vitet 60.
“Dukati për mua është shtëpia ime dhe të gjithë këtu mundohemi të trashëgojmë traditën dhe zakonet”, shprehet Edviol Kulluri, anëtar i kryepleqësisë së Dukatit.
Ky është një nga të rinjtë, i kthyer në Dukat, pak kohë më parë, me kërkesë të kryepleqësisë, një formacion që bashkon në mënyrë vullnetare përfaqësuesit e fiseve. I njohur për këtë mënyrë organizimi, sot në këtë mbledhje të improvizuar për të respektuar kameran tonë, përveç meshkujve, mësojmë se në mbledhjet e zakonshme të tij, pjesëtare të këtyre takimeve janë edhe femrat.
“Kuvendi i tanishëm ndryshon nga ato të hershmit, çdo 18 vjecar ka të drejtë të marrë pjesë, çdo dukatas është anëtar. Tani pranohen edhe gratë”, vazhdon Kulluri.
Dhe në kuvende te tilla, dukatasit ja marrin këngës. Lekë Gjoleka, Sulo Bezhani dhe Bego Vangjeli janë treshja e Dukatit, një traditë që lidhet me një histori të veçantë, atë të tre barinjve që kur shkonin për kullotë mblidheshin e këndonin.
“Në fillim bariu këndonte vetëm, më pas i thërriti shokut dhe u bënë dy; më pas tjetrit dhe u bënë tre. Kjo është historia”, tregon Lekë Gjoleka.
Këngët më të njohura i kushtohen trimërisë së burrave të fshatit, njëri prej të cilëve quhet Dervish Aliu, figurë e njohur historike, një nga udhëheqësit e Kryengritjes së madhe fshatare të vitit 1847 kundër pushtuesve turq.
“Ai mblidhte njerëzit, mblidhte lekët dhe organizonte rezistencën. Njihej si një burrë i mençur, ishte një figurë e ndritur”, thotë Thanas Kapo, kryeplaku i Dukatit të Vjetër.
Për këtë ndërtesë, që dikur ka shërbyer edhe si muze, sot kujdeset Elmaz Radaku, njëri prej banorëve të fshatit. E restauruar për herë të fundit në vitin 1978, ansambli përbëhet nga një kompleks banesash, nga dy kulla e mure rrethuese, duke krijuar një kompleks ndërtimor të mbyllur, në formë trekëndëshi.
“Cdo dhomë ka funksionin e saj të veçantë, ka dhomë grash, dhomë gatimi, dhomë miqsh dhe dhomë burrash”, shpjegon Radaku.
Në Dukat gjen sot 1200 shtëpi, 450 prej të cilave në Dukat të Ri. Popullsia jeton në përgjithësi me blegtorinë dhe bletarinë, dhe një pjesë e vogël me industrinë përpunuese. Në periudhën e vjeshtës prodhimi i vajit të ullirit është një prej aktiviteteve të zonës. Banorët e fshatrave përreth, nga Dhërmiu dhe Rradhima, mbledhin prodhimet e stinës dhe i përpunojnë këtu.
Familja Radaku njihet në zonë për biznesin familjar, fëmijët e saj sapo janë kthyer nga emigracioni për të nisur këtë aktivitet, burrat e fshatit mbidhen këtu, këndojnë dhe shijojnë prodhimet e zonës.
“Pasioni për vendlindjen ishte i madh prandaj vendosa të kthehesha”, thotë Adem Radaku.
Dhe në këtë harmoni zërash, ftesa për këtë fshat piktoresk vjen nga vetë vendasit, të cilët aspirojnë që këtë jetë idilike përtej problemeve të së përditshmes, ta ruajnë brez pas brezi.
“Ju sugjeroj që të vini ta vizitoni Dukatin se ka vlera natyrore dhe shpirtërore”, përfundon Ademi.
Top Channel