
Përfundoi në Bruksel takimi i Ministrave të Financës të vendeve të Bashkimit Europian që përdorin në tregjet e tyre monedhën e përbashkët euro.
Mbledhja iu kushtua e gjitha gjendjes së rëndë financiare që po kalon Republika e Irlandës pas publikimit të raportit më të fundit ku defiçiti shfaqej në shifra alarmante prej 32 përqind të GDP-së.
“Jemi gati të ndërhyjmë nëse do të jetë e nevojshme për të ruajtur stabilitetin e zonës euro”, u shpreh për mediat kreu i Eurogrupit, Jean Claude Juncker.
Një gatishmëri për të ndërhyrë ka shprehur edhe Klaus Regling, kreu i Fondit Europian të Stabilitetit (EFSF), organizëm monetar i krijuar në muajin maj të këtij viti për t’u përdorur në raste krizësh financiare.
“Jemi të gatshëm të ndërhyjmë shumë shpejt në tregje”, tha Regling.
Por qeveria irlandeze vazhdon të kundërshtojë ndihmën e BE-së, edhe pse po bashkëpunon me Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për hartimin e një strategjie mbështetëse për bankat vendase.
Ndërkohë komisioneri i BE-së për çështjet ekonomike dhe monetare, Olli Rehn u shpreh se në ditët në vazhdim do të kryhet një vrojtim nga afër i situatës së Dublinit.
“Intensifikuam punën tonë këtë fundjavë dhe do të përkushtohemi akoma më shumë në ditët në vijim në Dublin”, tha Rehn.
Si përfundim mund të thuhet se BE është e gatshme të ofrojë ndihmë për Irlandën, në rast se Dublini zyrtar do të kërkojë një gjë të tillë, madje edhe për Lisbonën nëse do të jetë e nevojshme. Për këtë qëllim do të përdoren të ardhurat e grumbulluara nga fondi i përbashkët anti-krizë i krijuar në muajin maj që shkon deri në 750 milion euro.
Top Channel