Indi, shembet godina, 63 të vdekur
16/11/2010 09:05
Të paktën 63 persona kanë vdekur dhe 70 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e shembjes së një ndërtese shumëkatëshe në Nju Delhi të Indisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Laxmi Nagar, ku themelet e godinës 6-katëshe janë shembur papritur.
Ndërkohë, bilanci i viktimave është bërë publik ditën e sotme nga autoritetet lokale, të cilat nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të rëndohet.
Pallati, i ndërtuar 25 vjet më parë, është rrëzuar si një kështjellë letrash, duke zënë poshtë shumicën e banorëve, të mbledhur në shtëpi në kohën e darkës.
Sipas televizioneve lokale, shkak i shëmbjes së themeleve janë bërë punimet e nisura para pak kohësh për ngritjen e një kati të shtatë.
Top Channel