Pakistan, sulmohet anti-terrori në Karaçi

12/11/2010 00:20

Një grup militantësh tentoi të mësynte selinë e forcës policore të anti-terrorit në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi, e pas kësaj shpërtheu një kamion-bombë, duke shkaktuar 20 të vdekur e të paktën 100 të plagosur.

Policia u përfshi në një shkëmbim të ashpër zjarri me agresorët që përpiqeshin të hynin me forcë në ndërtesën e departamentit hetimor kriminal.

Përplasja e kamionit të mbushur me eksploziv pas murit rrethues të godinës, bëri që lenda plasëse të shpërthente duke e shkatërruar strukturën thuajse tërësisht. Shpërthimi është dëgjuar disa kilometra larg qytetit 14 milionë banorësh. Nga forca e tij, në tokë u hap një krater tre metra i gjërë.

Beteja e vazhdueshme e Pakistanit kundër rebelimit brenda kufijve, ka mbërritur tashmë edhe në Karaçin e konsideruar si zemra financiare e vendit. Deri tani, qyteti kishte arritur t’i shpëtonte valës së madhe të dhunës, por që nga sulmi me bombë mbi një proçesion shiit, dhjetorin e 2009-s, militantët kanë filluar ta shënjestrojnë rregullisht metropolin e paqendrueshëm.

Sulmi i fundit përshkruhet në media si shenjë e qartë e faktit se vetëbesimi i militantëve po rritet, si këtu, ashtu edhe në veri-perëndim të vendit, ku jane duke fituar terren.

Top Channel