“Thesari ynë është një motor”

12/11/2010 18:50

Ky mjet i bukur dy-rrotësh, objekt i rrallë i mbijetuar i rrugëve tona, është një prodhim i viteve ’40.

Kjo motoçikletë e markës Guzzi, u prodhua në Italinë fashiste, por ia doli të qarkullojë edhe nëpër rrugët e Shqipërisë komuniste. Kjo relikë që mbahet kaq mirë sot në këmbë, është pikërisht trashëgimi e asaj kohe.

Sali Zalta ka qenë pronari i hershëm i tij, që falë pasionit nuk i qendroi besnik formës autentike të krijuesit të motorit. Sot, trashëgimia i ka kaluar Edmondit, një prej djemve të tij.

“Babai e bleu në vitin ‘53. Profesioni i tij ka qenë bojaxhi llamarinist dhe i bëri disa modifikime”, shprehet Edi.

Edi, po aq i rrëmbyer nga pasioni për këtë motor, tregon sesi i ati që sot nuk jeton më, e shndërroi mjetin nga një prodhim i thjeshtë, në një ngrehinë lëvizëse që për kohën kur qarkullonte në Tiranë, tërhiqte shumë vëmendje.

“Si motor, si telajo, si amortizator, parafangot janë të vetat. Modifikimi i marmitave, kasetat, sediljet, kroskoti, xhami, janë vetëm dora e babait tim”, vazhdon ai.

Të gjitha këto modifikime artizanale, e bën Guzzin e Salës një objekt shumë të veçantë, që lakmohej e admirohej nga të gjithë. Astriti, një mik i vjetër i familjes kujton me nostalgji.

“Këtë motorr e mbaj mend rreth viteve ’60. Isha i vogël, 7-8 vjec. Ustai ishte mik i babait dhe në atë kohë, ky u shihte si një relikë, si diçka e veçatë”, tregon Astriti.

Pozicioni i marmitave, konfiguracioni i grupit të motorit, volantit që është një prodhim nikelato i ’40-ës, modifikimi i ndriçimit, parafangot e zgjedhura me shumë merak, e deri dhe stampat e “motto guzzit”, e bënë këtë motorr që të shihej me sy ndryshe në një kryeqytet ku të ushqeje një pasion kaq ‘trendy’ rrezikohej të shihej si një shprehje dekadence.

“Babai punonte 5 vjet dhe pastaj e mbyllte. Krijonte një ide dhe i bënte modifikimin që i thoshte mendja. I kishim hapur një vend tek dhoma e gjumit, punonte fshehurazi. I kërkuan llogari për materialet se ku i gjente. Ishte një herë në Itali dhe bleu disa bori. I thanë që të mos i vendoste, por ai i vuri”, kujton Edi.

Duke qenë se Sala, pronari i motorrit që gëzonte një jehonë të madhe asaj kohe, ishte punonjës për riparimin e mjeteve të byrosë, gjente rrugë për t’ua hedhur edhe këtyre vështirësive. Dhe çdo sakrificë ia vlente për të qenë mbret i rrugës.

“Ishte e pamundur mos kthenin njerëzit kokën kur kalonte motorri. E shikonin me admirim dhe donin edhe te hipnin”, shprehet Astriti.

Në vitet ’80, mjeti i rrallë do t’i dorëzohet Edit, djalit që trashëgoi edhe pasionin për të mbajtur në formë perfekte motorrin i cili edhe në vendin e vet të origjinës nuk është më në qarkullim.

“Sot, motorri ka më shumë sukses. Është motorr relike. Është punim artizanal. Ka kureshtarë që më ndalojnë dhe më pyesin: A është ky motori i Salës? Kureshtje ka dhe nga të rinjtë sepse është shumë i veçantë”, thotë Edi.

Pas Edit, radha pritëse e trashëgimtarëve është e gjatë. Pronari aktual ka akoma shumë kohë për ta shijuar relikën, por Fjori, djali i tij, ka filluar të ushqejë lakminë e zotërimit.

“Dua t’i jap. Është kënaqësi që e ka fisi dhe dua ta trashëgoj unë motorrin tani”, tregon Fjori.

Sot Sala, pronari i parë i këtij motorri që qarkulloi për herë të parë në Shqipërinë e viteve ’50, nuk jeton. Por investimi pa kufij, pasioni mbi të, i ka dhuruar pavdekësinë. Një vazhdimësi që, ndoshta do të vijojë të ruhet edhe për disa breza. Të paktën, siç duken shenjat deri tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA