Pakistan, atentat ndaj xhamisë, 45 të vdekur

05/11/2010 12:45

Të paktën 45 persona janë vrarë dhe mbi 70 të tjerë janë plagosur në një sulm vetëvrasës që kishte si objektiv një xhami në veri-perëndim të Pakistanit.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave shpërthimi i bombës ndodhi gjatë seancës së lutjeve në zonën Darra Adam Khel, pranë rajoneve tribale të Pakistanit, dikur bastione të talebanëve.

Kupola e xhamisë sunite është rrëzuar dhe autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rëndohet.

Ndërkohë, dëshmitarë nga vendngjarja kanë treguar për mediat ndërkombëtare se atentatori ishte në këmbë dhe se u hodh në erë pranë portës kryesore të xhamisë.

Objektiv i sulmit mund të ketë qenë një lider tribal, që ka inkurajuar popullin që të dalë me një qëndrim kundër talebanëve. Por ende nuk dihet nëse ky person është mes viktimave.

Top Channel