Rusi-SHBA, bashkë kundër drogës

29/10/2010 14:35

Agjentë rusë dhe amerikanë kanë kryer një superoperacion të përbashkët për të shkatërruar laboratorët e drogës në Afganistan.

Mbi një ton heroinë dhe opium u sekuestrua gjatë kontrolleve të agjentëve, që nisën të mërkurën, në zonën kufitare me Pakistanin.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i agjencisë ruse të anti-drogës, Viktor Ivanov, i cili ka saktësuar se droga e sekuestruar në treg do të kapte vlerën e 250 milionë dollarëve.

Sipas Ivanov, lënda narkotike dyshohet se kishte si destinacion vendet e Azisë qëndrore. Ky është operacioni i parë i përbashkët mes SHBA dhe Rusisë.

Në të kaluarën zyrtarë rusë kanë akuzuar forcat e koalicionit se nuk po bënin asgjë për të ndalur prodhimin e drogës.

Ivanov ka saktësuar se në operacion u angazhuan 70 agjentë nga të dyja vendet, të mbështetur nga helikopterë luftarakë.

Shumica e heroinës hyn në territorin e ish-Bashkimit Sovietik nga kufijtë veriorë të Afganistanit me Taxhikistanin dhe Turkmenistanin.

Më pas ajo udhëton drejt Perëndimit përmes Kazakistanit, para se të hyjë në rajonet Urale të Rusisë, ku është dhe numri më i madh i përdoruesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA