Agjentët e FBI-së arrestuan një amerikan 34 vjeçar me origjinë pakistaneze me akuzën se po planifikonte sulme në stacionet e metrosë së kryeqytetit amerikan Uashington.
Ai dyshohet gjithashtu se ka këmbyer informacione me njerëz që mendohet të kenë lidhje me Al Kaedën. Zyrtarë të Departamentit amerikan të Drejtësisë thanë se Faruk Ahmed kishte fotografuar stacione të metrosë në Uashington dhe planifikonte sulme të njëkohshme me bombë.
Agjentet i kishin mbikqyrur stacionet përgjatë gjithë muajit prill dhe kishin ndjekur nga afër veprimtaritë e 34 vjeçarit.
Për ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare, Dejvid Kris, ky rast nënvizon edhe një herë nevojën për vigjilencë të vazhdueshme ndaj kërcënimeve terroriste.
Ahmed, i lindur në Pakistan dhe me shtetësi amerikane, akuzohet për 3 vepra penale, përfshirë përpjekje për të dhënë mbështetje materiale për një organizatë terroriste dhe planifikimin e një sulmi terrorist në një qendër traziti. Nese shpallet fajtor, ai mund te denohet deri me 50 vjet burg.
Top Channel