Nuk janë të dallueshme në pamje të pare. Ato ecin përkrah të tjerëve çdo ditë, të mira, të bukura dhe plotë jetë. Por, të mësosh për sëmundjen e tyre, të duhet të dëgjosh historinë personale të cilën ua besojnë pak njerëzve.
Quhet Kimete, sapo ka mbushur të 60-at, edhe pse njerëzit që e rrethojnë thonë se duket më e re. Daljen në pension nuk e gëzoi normalisht. Në të njëjtën kohë, ajo mësoi se i ishte shtuar komunitetit të grave të prekura me kancerin e gjirit që shpesh herë i ndan nga njerëzit e afërt. E nis historinë e saj, sa herë që e pyet, në të njëjtën mënyrë siç ndodh në raste të tilla.
“Nuk e mendoja dhe fillimisht vura re disa gjendra në krahun e majtë”, shprehet Kimetja.
Relativisht e re, atëherë kur pothuajse po i përmbyllte detyrat si nënë për të jetuar një jetë të qetë dhe të gëzuar si gjyshe, Kimetja me një trashëgimi familjare jetëgjatë, tregon për momentet e para të përjetimit kur mjekët diagnostikuan në trupin e saj masën tumorale që deri para pak kohësh ua rrëmbente jetën sa e sa grave.
“Është një sëmundje që të ndan nga njerëzit e t’u të dashur dhe të shenjtë”, shton Kimetja.
Pa bërë asnjë mamografi, në kulmin e gëzimit të shëndetit Kimetes, pas kësaj faze, i mbeti vetëvetja për të mbijetuar. Në kontakt të vazhdueshëm me trupin, por dhe falë ekzaminimeve të vazhdueshme, ajo mundi ta ndalte sëmundjen përpara se të ishte vonë.
“Më thanë se operacioni zgjati 3 orë. Kisha njerëz plot rreth vehtes, ndërsa rrezet zgjaten për 5 javë. Operacioni filloi nga qafa e deri pas shpatullës”, tregon Kimetja.
Por si paraqitet situata në Shqipëri? Shenjat janë alarmante, në 20 vitet e fundit numri i rasteve është dyfishuar. Duke qenë një popullsi me moshë mesatare, 31-32 vjeç, fasha e prekur nga sëmundja në fjalë është 46-59 vjeç. Çdo vit në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Korça apo Elbasani konstatohen rreth 450 raste të reja. Ndërkohë që për “moshën dysheme” në shërbimin onkolologjik dalin të dhëna pesimiste.
“Kemi patur raste të moshës 17 deri në 18 vjeç. Janë ende të paqarta faktorët që shkaktojnë sëmundjen”, shprehet mjeku Agim Sallaku.
Sëmundja që “mbërthen” qytetet e zhvilluara nga ndryshimi i stilit të jetesës, konsumit të duhanit dhe alkoolit, martesave dhe lindjeve në mosha të rritura, mbledh pacientët në organizma për të ngritur zërin dhe mbijetuar realitetit.
“Shërbimi në spitalin onkologjik nuk është i mjaftueshëm. Nuk ka medikamente, nuk ka suport psikologjik”, thotë specialistja Diana Myrto.
Një realitet që shihet me sy dhe pranohet lehtësisht nga ata që çdo ditë janë në shërbim të këtij komuniteti.
Por i rikthehemi historisë së Kimetes. Pas tre vjet beteje ajo vazhdon jetën e saj femerore, ku ndihet e rëndësishme për bashkëshortin e saj, djalin e vajzën, për nipin që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë dhe mbesën.
Një grua që di të qeshë, të tregoj se si ka njohur burrin e saj dhe se si u bë me fëmijë, për punën e saj të dikurshme dhe udhëtimet e saj të gëzueshme, jeton pa frikën se mund të mos ketë të nesërme.
“Unë jam e qetë shpirtërisht, jetën nuk e kemi ne në dorë. Çfarë të jetë e shkruar”, thotë Kimetja.
Po bëhet gati për të nisur një tjetër dite, ajo tani i bashkohet turmës së njerëzve dhe zhurmave të qytetit, për t`u bërë pjesë e përditshme e jetës së saj.
Top Channel