Themi “bariu” dhe mendojmë menjëherë për blegtorin njeri, që kujdeset për tufën e deleve. Por sot do të njihemi me disa blegtorë të stilit të veçantë. Për qentë barinj.

Po shkojmë në një nga stanet e zonës së njohur për blegtori në distriktet rurale të Gjirokastrës. Kaluam nëpër shtigje në rrugën që të çon drejt malit ku ndodhet kullota.

Tre qentë e një tufe duken se i kanë ndarë detyrat e tyre.

Arusha është një prej rock-starëve të tufës. Ajo po qendron në mes të deleve duke u kamufluar me pellushin e vet të bardhë dhe nëse afrohesh, reagon menjëherë me të lehura të ashpra.

Murro, qeni i zi i cili është më i frikshëm me pamjen e tij qëndron disi në distancë nga kopeja, vigjilent me detyrën e tij prej një ushtari në gatishmëri.

Po kush i ka mësuar dhe pse?

Fadili është një kryefamiljar që së bashku me bashkëshorten punojnë si buxhetore për të mbajtur shtëpinë se bashku me dy fëmijë të rritur që shkojnë në shkollë.

Fadili punon si elektriçist për mirëmbajtjen e linjave dhe detyra e thërret në punë çdo ditë.

“Unë iki çdo ditë në 8 të mëngjesit dhe gruaja gjithashtu”, thotë Fadili.

Ky zotëri nuk mendon se mund t’i heqë nga shtëpia këta dhen, që për të janë një ndihmë plus për të ardhurat, por nga mungesa e kohës për të kullotur dhentë ka gjetur si zgjidhjen më të mirë, qentë e trajnuar si barinj.

“Këto i mbaj se i kam ndihmë ekonomike”, shprehet Fadili.

Qentë e kopesë janë rritur me këta dhen dhe tashmë ato i konsiderojnë si pronë të tyren.

“Që të vegjël i kam mësuar me dhentë dhe i kam folur që t’i ruajnë”, pohon ai.

Çdo mëngjes Fadili i lëshon nga stani dhe u flet qenve për detyrën që do të marrin delet të cilat ndjekin rrugën që drejtohen nga mbikëqyrësit e tyre vigjilentë.

“Këtu ka pyll dhe vijnë egërsira para tre ditë një ujk hëngri një lopë, ndërsa aty nuk afrohet ujku”, thekson Fadili.

Në një ditë që vrojtuam, delet u ushqyen vetëm dhe për t’u kthyer në strehën e tyre, mjafton një fishkëllimë apo thirrje e të zotit pa rënë mirë nata. Për të respektuar itinerarin dhe që asnjë nga delet të mos mungojë në apel, kujdesen ata: barinjtë simpatikë me gëzof dhe putra.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA