Baballarët e ardhshëm larg ‘fast food’

22/10/2010 09:55

Burra kujdes! Nëse po mendoni që të bëheni prind, mbylleni me celës dëshirën për të ngrënë fast food sepse fëmija juaj në të ardhmen rrezikon të ketë sëmundjen e diabetit.

Sipas një studimi të kryer në Universitetin e New South Wales në Sydney,të publikuar në revistën “Nature”, u bëhet thirrje baballarëve të ardhshëm që të ndjekin një regjim ushqimi thuajse të njëjtë me atë që hanë partneret e tyre që kërkojnë të mbesin shtatzëna, pra: shumë zarzavate, fruta dhe lëngje.

Për të treguar vlefshmërinë e tezës së tyre, shkencëtarët ciftuan minjtë meshkuj të ushqyer me produkte të pasura me yndyrna me minj femra të ushqyera në mënyrë të shëndetshme, duke monitoruar më pas gjendjen shëndetësore të këlyshëve të tyre. U vu re që këlyshët e kishin të zhvilluar sëmundjen e diabetit para se të arrinin pubertetin dhe përqendrimi i sheqerit në gjak ishte dyfish krahasuar me ata këlyshë që kishin ardhur në jetë nga cifte minjsh të ushqyer në mënyrë të shëndetshme.

Edhe prodhimi i insulinës, kompromentohej duke qenë se vlera e arritur ishte gjysma e normales.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA