Të rehabilitohesh me metodat e astronautëve

21/10/2010 19:05

Ilmiu është 24 vjeç, por ka vetëm 10 muaj që jeton mbi një karrige me rrota. Fati i tij do të përmbysej pas një aksidenti pune në Greqi, ku i riu kishte emigruar.

Pas shumë përpjekjesh dhe ndërhyrjesh mjekësore, djaloshi kthehet i pashpresë për të ecur sërish, në vendlindje. Këtu mëson për një qendër të re rehabilitimi, e cila pak nga pak po i kthen shpresën dhe aftësinë fizike.

“Jam dëmtuar në shtyllën kurrizore. Jam operuar në Greqi. Kam bërë 2 muaj fizioterapi ne Greqi, por nuk pata përmirësime. Dëgjova për klinikën “Adeli”dhe u ktheva në Shqipëri”, tregon Ilmiu.

Ilmiu është një prej pacientëve të shumtë që mrekullinë nuk e pret më nga ndonjë fuqi e mbinatyrshme, por nga qendra e rehabilitimit “Adeli”. Fizioterapistja Afrodhiti Veli shpjegon për metodën e veçantë që aplikohet, kryesisht tek personat me kufizime fizike.

“Fillojmë me masazhet në këmbë që të qarkullojë gjaku. Pastaj fillojmë stërvitjen e muskujve me peshë. Cdo ditë ndryshon pesha dhe bëhen ushtrime të ndryshme, varet nga zhvillimi dhe progresi i personit”, shprehet Afrodhiti.

Falë metodave të specializuara dhe që për Shqipërinë gëzojnë patentën e “Adeli Suit” nga qendra kryesore në Rusi, Ilmiu po fiton një aftësim të dukshëm nga dita kur është paraqitur për trajtim në këtë qendër.

“Kur erdhi në fillim nuk ecte dot këmbadorazi. Tani bën dhe hapa. Besoj se do ecë mirë, por kjo varet nga puna e tij. Nuk është një hapje magjike që e pi dhe mbaron problemi, kjo gjë do shumë punë. Për një kohë të gjatë mendoj se pacienti do ecë, me paterica ose edhe vetë.

Specifikë për këtë qendër rehabilitmi janë veshjet e posaçme, të cilat me kalimin e kohës ndihmojnë që trupin, nga pozicioni patologjik ta çojnë në pozicionin fiziologjik. Këto kostume janë përdorur për herë të parë në vitin 1970, tek astronautët rusë që ktheheshin nga Hëna me muskuj të dobët, si pasojë e mungesës së peshës gravitacionale. sot është e njëjta kompani që merret me prodhimin e tyre.

Afrodhiti tregon se “kostumi i parë u bë në Ajuverdha, në ndërmarrjen që prodhon anijet kozmike. Në 1994 u vesh tek një person i paralizuar. Pati rezultat shumë të lartë dhe tani personi ecën vetë.”

Trajtimi në këtë qendër, që ndodhet në rrugën Don Bosko, sipas specialistes është një kombinim i aplikimit të fizioterapisë dhe veshjeve, të cilat në mënyrë të vetëvetishme ekuilibrojnë trupin dhe stimulojnë lëvizjen e muskujve që janë pa forcë.
Metoda Adeli, ofron asistencë për personat e paralizuar, të lindur të tillë apo të dëmtuar gjatë jetës. Por, rezultate të mira ka pasur edhe tek personat që kanë pësuar dëmtime fizike si pasojë e hemoragjisë cerebrale.

“Në disa persona ka efekt 40%, në disa 80, në disa 60%. Varet nga dëmtimi neurologjik, i madh ose i vogël”, saktëson Afrodhiti.

Fizioterapistja, na tregon se metoda ka dhënë rezultate shumë të mira tek një vogëlushe 10- muajshme që para 2 javësh nuk kryente lëvizjet sipas zhvillimt të moshës. Tashmë ajo mund të ecë e mbëshetur, kryen rrotullime e madje zvarritet këmba-dorës pa ndihmën e askujt.

Ndërsa Diona, një tjetër paciente e qendrës “Adeli” në Tiranë, është 8 vjeç. Asaj i janë dëmtuar nervat e krahur gjatë lindjes.

“Ka pasur lëvizje shumë të vogla, të dobëta por në këtë moment kemi tre javë që bëjmë një program dhe i është forcuar dora dhe muskujt”, shprehet fizioterapistja.

Fitorja, nëna e Dionës, na tregon se në këtë qendër 8- vjecarja ka përparime të dukshme. “Ka bërë terapi ne Kosovë, më pas në Mal të Zi. Kur kemi ardhur këtu ka pasur shumë përmirësime.”

Trajtimi i pacientëve në këtë qendër rehabilituese, bëhet përmes një programi 4-javor. Nga e hëna në të shtunë, zhvillohen 3- 4 orë ushtrime në ditë, të kombinuara me veshjen e specializuar. Me një eksperiencë mbi 20- vjecare dhe përhapje në shumë vende të botës, “Adeli Suit” prej pak kohësh sjell eksperiencën më të mirë rehabilituese për kufizime fizike edhe në Shqipëri.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA