Diagnoza: Leuçemi akute. Ky lajm i keq tronditi Artiolën dhe familjen e saj në mes të korrikut. Një sëmundje e zbuluar befas që sipas mjekëve shqiptarë nuk i linin më shumë se 19 ditë jetë vajzës 14 vjecare.

“U tmerruam që brenda një jave të dilte një sëmundje e tillë”, shprehet nëna e Artiolës.

Mjekët s’i dhanë shanse për të mbijetuar, por shpresa për ta kuruar jashtë shtetit, e shtyu familjen e Artiolës për të kërkuar ndihmë. Nëna e 14-vjeçares u drejtua tek vendi i saj i punës, në Hotel Rogner.

“Ato na dërguan brenda 24 orëve në Klagenfurt të Austrisë, në spital. Aty vajza mori mjekimin rregullisht”, vazhdon nëna e 14-vjeçares.  

Robert Rogner, miliarderi i hoteleve luksoze sapo mori telefonatën nga Shqipëria reagoi menjëherë. Organizoi sigurimin e vizave, shpenzimet e udhëtimit dhe gjithashtu koston e trajtimit në në një nga spitalet më të specializuara dhe më të shtrenjta në Klagenfurt të Austrisë.

Në klinikën austriake fijet e shpresës zgjateshin dita ditës. Por megjithatë ende nuk dihej nëse Artiola do ta mundte sëmundjen.

Miliarderi i njohur ka qenë vazhdimisht prezent në etapat e kurimit të vajzës 14-vjecare. Jo vetëm nëpërmjet kontributit të tij financiar por dhe në vizitat e shpeshta me bashkëshorten në ambientet e klinikës ku me ankth pritej të vendosej përfundimisht fati i vajzës.

Tashmë Artiola është jashtë rrezikut për jetën. Si çdo 14 vjecare ajo do të mund të ndjekë shkollën dhe ëndrrat e saj që për pak do të ndërpriteshin tragjikisht. Për të dhe nënën e saj, ajo çfarë ka ndodhur është një mrekulli. Është një mrekulli që mban vulën Rogner, të njeriut që në vitet ‘50 i duhej të emigronte për të siguruar jetesën. Fillimisht si punëtor në shërbimin e hotelerisë, e më pas në ndërtim. Por që në sajë të punës, mprehtësisë dhe inisiativës arriti të bëhej një nga pronarët më të mëdhenj të hoteleve që mbajnë emrin e tij kudo në botë. Për Artiolën 14-vjecare është më shumë se kaq: ai është njeriu që i shpëtoi jetën.  

“Tani jam shumë më mirë, po vazhdoj kurimin. Falenderoj çiftin Rogner që më bënë të rilind”, shprehet Artiola.

Artiola po bëhet gati të shijojë një jetë të dytë. Në fund të këtij viti ajo përfundon trajtimin në klinikën austriake dhe kthehet në shtëpi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA