
Ka luajtur 12 sezone në NBA me ekipe si New York Knicks, New Jersey Nets, Boston Celtics, Atlanta Hawks dhe San Antonio Spurs. U tërhoq nga basketbolli në 1987 dhe në 1994 deklaroi falimentimin. Tashmë fle në një kamion dhe peshkon për tu ushqyer.
Ray Williams nuk mund ta imagjinonte në vitet e tij të arta si lojtar basketbolli se një ditë do të gjendej në një situatë personale dhe ekonomike kaq të rrënuar.
Pas 12 sezonesh si lojtar në NBA, pasi ka shënuar më shumë se 10.000 pikë në karrierë, pas 52 pikëve të shënuara në një ndeshje të vetme (rekord i Nets-ave i pathyer deri më sot) dhe pas 3 milionë dollarëve të fituar, “Sugar Ray” sot fle në një kamion të braktisur në Pompano Beach (Florida) dhe ushqehet duke peshkuar në port.
Ray Williams e la basketbollin me një llogari bankare “të shëndetshme”, me një rreth shoqëror të gjerë dhe shumë plane për të ardhmen, por altruizmi i tepërt dhe një mashtrim në tregun e pasurive të patundshme bënë që ai të “ndahej” nga paratë, familja (gruaja e braktisi bashkë me fëmijët) dhe nga shëndeti.
“Kam menduar të vras veten”, ka pranuar ish-lojtari në shtypin amerikan.
“Mund të jetoj pa problem sepse 98% të kohës peshkoj, por pikërisht kjo është gjëja më e vështirë sepse më kujtohen kohët e vjetra kur gjërat ishin ndryshe.”
Top Channel