Aplikacionet e FB nuk respektojnë privatësinë

18/10/2010 14:00

Shumë aplikacione të disponueshme në FB u kanë dhënë informacion kompanive të ndryshme mbi identitetin e miliona përdoruesve, gjë që dhunon një nga normat e privatësisë të rrjetit social, sipas gazetës Wall Street Journal.

Programues të aplikacioneve më popullore kanë transmetuar informacione të tilla si emrat e përdoruesve apo miqve të tyre tek kompani hetimi, përfshirë këtu edhe emrat e atyre të cilët kanë vendosur privatësinë më strikte të mundshme që mund të lejojë FB në profilin e tyre.

“Kjo gjë shkel hapur rregullat e këtij rrjeti social dhe rihap çështjen e aftësisë së FB për të ruajtur informacionin e përdoruesve të tij”, shton gazeta.

Farmville dhe Texas Holdem Poker janë dy nga aplikacionet të cilat kanë përhapur informacione tek kompani të tjera.

Shumica e aplikacioneve të tilla nuk janë krijuar nga programuesit e FB, por nga programues të tjerë që nuk kanë lidhje me rrjetin e njohur social.

Top Channel