Tifozët serbë që shkaktuan trazira në stadiumin e Xhenovës nuk do të mund të kthehen në Itali të paktën për 10 vjet.
Sipas drejtorit të policisë italiane, Antonio Manganelli, 35 serbët e denoncuar janë dëbuar nga vendi të shoqëruar nga policia deri në kufi, pasi konsiderohen si persona të rrezikshëm për sigurinë publike.
Të njëjtin fat do të kenë edhe 17 serbët e arrestuar kur të dalin nga burgu, ka bërë të ditur Manganelli.
Ndërkohë, serbët e arrestuar do të dalin nesër përpara prokurorëve dhe trupit gjykues, të cilët në ambjentet e burgut do të japin masën e arrestit.
Prokurorët, vendimi i të cilëve lejon thellimin e hetimeve, kanë hipotizuar akuza për vepra të ndryshme penale që shkojnë nga shkaktimi i dëmeve deri tek shkelja e normave të rendit publik.
Top Channel