Kanë qenë “tigrat” e etur për gjak të famëkeqit Arkan ata që shkaktuan trazirat e dhunshme ditën e djeshme në Xhenova të Italisë.
Kështu shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, në edicionin on line të saj. Sipas gazetës, ish-njësitë paraushtarake serbe që kanë kryer masakra në Ballkan, u mblodhën dje në Itali për të shkaktuar trazira.
Sipas burimit, të ashtuquajturit “tifozë” vinin nga disa lokale periferike të Beogradit, të njohur ndryshe si strofulla të dhunës serbe.
Por cili ka qenë objektivi i vërtetë i tyre? Sipas Milan Petrovic, redaktor i së përditshmes “Blic”, qëllimi i tifozëve “ultras” ka qenë politik.
“T’i shkaktojnë sa më shumë probleme presidentit Tadic dhe qeverisë së tij. Sidomos, të krijojnë një klime destabiliteti për ta cuar vendin sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme”, shprehet Petrovic.
Bojan Pajtic, kryetar i qeverisë së provincës autonome të Vojvodinës është edhe më i drejtpërdrejtë. “Kjo turmë nuk vepron në mënyrë spontane. Ajo është në shërbim të atij që kërkon të na ndalojë me cdo mjet kthimin në një vend normal”, thotë Pajtic.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhic. “Ai që organizoi këto protesta ndodhet në Beograd. Ky është një sulm që i bëhet drejtpërdrejt shtetit”, deklaron Karaxhic.
Top Channel