Serbia i kërkon ndjesë Italisë për incidentet e një ditë më parë gjatë takimit mes dy kombëtareve të futbollit.
Mediat serbe e kanë komentuar si turp dhe cnderim atë që ndodhi në stadium të martën në mbrëmje.
“Këta ekstremistë nuk përfaqësojnë ndjenjat e popullit serb”, tha ambasadorja serbe në Romë, Sanda Raskovic-Ivic. Sipas saj ajo që ndodhi ishte fatkeqësi dhe dicka shumë e shëmtuar.
“Unë dhe të gjithë serbët jemi të turpëruar. Gjej rastin për të kërkuar ndjesë në emër të ambasadës, qeverisë dhe gjithë popullit serb”, tha Raskovic-Ivic.
Mediat
“Turp i ri; tifozët ndërpresin Itali-Serbi” titullohet artikulli kryesor në të përditshmen e Beogradit “Blic”. Në brendësi të tij theksohet se me këtë incident, vijon pikiata e futbollit serb. “Mund të imagjinojmë se si janë ndjerë kapiteni dhe futbollistët tanë. Me siguri, janë turpëruar”.
“Skandal në Xhenova”, titullohet edicioni online i “Vesti”.Ndërsa “Vreme” hapet me një fotografi ku titozët serbë dogjën flamurin shqiptar.
Autoritetet
Shqetesimin e ka ndjerë edhe ministrja serbe e Sportit, Snezana Samardzic-Markovic. “Një grup personash që autoidentifikohen si tifozë të Serbisë kanë cnderuar veten e tyre, dhe gjithë Serbinë. Imazhet e dhunës, të para në të gjithë botën, janë një turp dhe një goditje ndaj procesit të ristrukturimit të reputacionit të sportit serb”, tha ministrja.
Top Channel