Flamuri kombëtar shqiptar i cili ishte vendosur pranë flamujve shtetërorë të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është hequr sot gjatë orëve të pasdites nga rrugët e Prishtinës. 

Flamuri kuqezi ishte vendosur nëpër të gjitha rruget kryesore të kryeqyetit kosovar për nder të vizitës së Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Dhe ky veprim ndodh vetëm një ditë përpara mbërritjes së shefes amerikane të diplomacisë. Nuk ka ende një shpjegim se përse flamuri kombëtar i shqiptarëve u hoq nga rrugët. Zyrtarisht komuna distancohet nga ky urdhër, ndërsa as ambasada amerikane dhe as Ministria e Jashtme e Kosovës nuk janë në gjendje të japin një sqarim për mediat.

Ndërkohë që punonjësit e një kompanie private po zbatojnë një urdhër që thonë se nuk e dinë nga kush vjen. Burime nga komuna ndërkaq bëjnë të ditur për Top Channel se ky është një urdhër që është dhënë “nga lart”. Protokolli për vizitën e sekretares amerikane po bëhet nga ambasada amerikane dhe sipas burimeve jo zyrtare thuhet se, ambasada ka kërkuar që të hiqet flamuri kombëtar shqiptar me arsyetimin se mbajtja e flamurit të një “shteti fqinj nuk është e preferueshme”. Ky veprim është dënuar ashpër nga qytetarët që ndodheshin në rrugë në momentin e heqjes së flamurit kuqezi.

Top Channel