Lagarde: Pres më shumë nga SHBA e BE

11/10/2010 00:00

Është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh për të nxitur ekonominë globale, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara dhe Eurozona.

Kështu ka deklaruar Christine Lagarde, drejtoreshë ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë samitit ekonomik që po mbahet në Tokio.

“Nëse më pyesni se çfarë pres nga ky samit vjetor i Fondit, atëherë ju them se pres iniciativa dhe veprime kurajoze, si dhe bashkëpunim nga vendet anëtare”, ka thënë Lagarde.

Ajo ka shtuar se pasiguria ekonomike në shumë zona të botës po pengon politikanët në realizimin e investimeve dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Për këtë arsye, Lagarde ka kërkuar veprime më kurajoze dhe vendimtare nga përgjegjësit e vendimmarrjes, raportojnë mediat ndërkombëtare ekonomike.

Në veçanti shefja e FMN-së e ka vënë theksin tek veprimet që duhet të ndërmarrin SHBA për të zgjidhur të ashtuquajturin “fiscal cliff”, si dhe Europa, që sipas saj është në qendër të krizës.

Ndërsa përsa i përket Greqisë, Lagarde ka vlerësuar se është e nevojshme që vendit t’i jepet një kohë shtesë prej 2 vjetësh, deri në 2016-ën, për të reduktuar defiçitin në linjë me kërkesat e Trojkës, BQE, BE dhe FMN.

“Është e nevojshme një kohë shtesë prej dy vjetësh që Greqia t’i bëjë ballë planit për rigjenerimin e financave të saj publike, që parashikon të çojë defiçitin në 2.1 për qind të GDP-së në vitin 2014 nga 7.3 për qind që është këtë vit.

Top Channel