
Një shtetas jemenas që punonte për garantimin e sigurisë në ambasadën amerikane në Sana të Jemenit është vrarë të enjten.
Qassem Aqlani ishte duke shkuar në punë kur papritur është qëlluar nga një person që udhëtonte me motorçikletë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe ambasada.
Aqlani punonte në ambasadë prej më shumë se 20 vjetësh, bën të ditur agjencia e lajmeve “Associated Press”. Ndërsa sipas një burimi tjetër, ai ishte në krye të një ekipi që hetonte mbi sulmin që u krye ndaj ambasadës muajin e kaluar.
Gjatë protestave kundër filmit anti-Islam të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, protestuesit sulmuan selinë e ambasadës amerikane dhe dogjën flamurin e saj, para se të zmbrapseshin nga forcat e sigurisë.
Zoti Aqlani vdiq menjëherë pasi u qëllua nga personi i armatosur, i cili thuhet se mbante në kokë një kasketë dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Për momentin atentati nuk është marrë përsipër nga asnjë grup militant, por disa autoritete lokale dyshojnë se ai mban firmën e Al Kaedës.
Ekspertët thonë se ngjarja tregon qartë se mund të ketë sulme të tjera ndaj oficerëve të shërbimeve sekrete, ushtrisë dhe policisë jemenase që bashkëpunojnë me qeverinë amerikane kundër Al Kaedës.
Top Channel